FMN kërkon kujdes me kredinë te huamarrësit e mëdhenj
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kërkon nga sektori bankar shqiptar një kujdes më të madh lidhur me ekspozimet te huamarrësit e mëdhenj.
Në raportin e muajit janar për Shqipërinë, stafi i FMN-në e ilustron këtë shqetësim me rezultatet e provave të rezistencës (stres-testeve).
Sipas FMN-së, një bankë tregtare në vend nuk do të përmbushte kërkesat minimale të kapitalit rregullator, në skenarin e falimentimit të huamarrësit më të madh të çdo banke.
Në një skenar më të rënduar, që mbështetet në supozimin e falimentimit të dy huamarrësve më të mëdhenj, disa prej bankave të sektorit do të binin poshtë nivelit minimal të kërkuar të kapitalit rregullator.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia për biznesin e madh në fund të muajit nëntor 2024 arriti vlerën e 247.8 miliardë lekëve, në rritje me 24.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo normë rritje është dukshëm më e lartë krahasuar me rritjen mesatare të portofolit të kredisë për ekonominë, që për të njëjtën periudhë ishte 13.9%.
Të dhënat e detajuara tregojnë se norma më e lartë e rritjes së kredisë për biznesin e madh regjistrohet në segmentin e kredive afatgjata, që zakonisht kanë si qëllim financimin e projekteve të reja të investimit. Kredia afatgjatë në fund të nëntorit rezultonte në rritje vjetore me më shumë se 41%.
Rritja e kredisë për korporatat përfshin edhe ekspozime në vlera mjaft të mëdha te huamarrës të veçantë, që në disa raste po jepen në bashkëpunim mes bankave, duke përdorur instrumentin e kredive sindikale.
Kreditë për biznesin dhe në veçanti ekspozimet e mëdha në segmentin e korporatave dhanë ndikimin kryesor në krizën e kredive me probleme, që kulmoi në vitin 2015.
Edhe për këtë arsye, në dekadën e fundit bankat janë përpjekur të ulin gradualisht ekspozimet e mëdha, duke vendosur fokus në rritjen e kreditimit në segmentin me pakicë. Megjithatë, në dy vitet e fundit po vërehet një tendencë në rritje për të marrë përsipër ekspozime në vlera të mëdha te klientët korporativë.
Në të njëjtën linjë, FMN nënvizon edhe nevojën për të kujdes të shtuar të lidhur me ekspozimin e lartë në financimin e borxhit publik të vendit, ekspozim që në rrethana të caktuara mund të shtrojë rreziqe të shtuara të likuiditetit.
Sektori bankar në Shqipëri është ndër të parët në Europë për shkallën e zotërimit të letrave me vlerë të qeverisë. Një skenar i tillë krijon rreziqe për likuiditetin, veçanërisht në kushtet e mungesës së një tregu dytësor të zhvilluar.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të nëntorit 2024, investimi në letrat me vlerë të qeverisë shqiptare përbënte më shumë se 27% të aktiveve totale të sektorit bankar në vend.
Provat e rezistencës tregojnë se aftësia e bankave për të gjeneruar likuiditet të mjaftueshëm varet nga aksesi në instrumentet e likuiditetitë të Bankës së Shqipërisë.
Në pamundësi për të përdorur të tilla instrumente (për shembull, në skenarin kur banka përballet njëkohësisht me probleme të likuiditetit dhe aftësisë paguese), disa banka do të rezultonin me mungesa të konsiderueshme likuiditeti.
FMN gjithashtu ka përsëritur edhe njëherë shqetësimin lidhur me rritjen e shpejtë të kredisë për pasuri të paluajtshme, shqetësim i shprehur në disa raste qysh vitin e kaluar.
Sipas FMN-së, rritja e shpejtë e kreditimit të bankave për sektorin e pasurive të paluajtshme, që përbën edhe dy të tretat e kredisë të ekspozuar ndaj lëvizjeve të kursit të këmbimit, paraqet rreziqe për stabilitetin financiar të vendit.
Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë ka reguar vitin e kaluar duke aplikuar shtesën kundërciklike të kapitalit për bankat tregtare.
Megjithatë, FMN rekomandon edhe aplikimin e kërkesave shtesë të administrimit të rrezikut, si vendosjen e disa nivele maksimale të lejuara për raportin mes kredisë dhe vlerës së pronës që financohet, si edhe të një raporti maksimal të shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave të huamarrësve (DTI)./ Monitor (https://monitor.al/fmn-kerkon-kujdes-me-kre7dine-te-huamarresit-e-medhenj/)